BESA TIME®

Portali i Lajmit të Vertetë

    “PARADOKSI RAMA” dhe PARTIA (e ndryshuar) SOCIALISTE

    Kategori: KRYESORET / ANALIZE Tarih: 30-01-2019, 21:06
    “PARADOKSI RAMA” dhe PARTIA (e ndryshuar) SOCIALISTE
    “PARADOKSI RAMA” dhe PARTIA (e ndryshuar) SOCIALISTE
    Nga Fitim Zekthi

    Në Europë dhe vende të tjera të botës ka kohë që ka një rikthim të diskutimeve mbi marksizmin, mbi komunizmin, shumë parti po i japin ngjyra shumë komuniste programeve dhe gjuhës së tyre etj. Ka një gjallërim të këtyre diskutimeve dhe popullarizimit të këtyre ideve, sidomos pas krizës së madhe financiare të vitit 2008, një krizë e cila pati pasoja gati kudo, pasoja të cilat ende vijojnë në forma të ndryshme.

    Krahas autorëve marksistë, që flasin për nevojën e një rendi të ri ekonomik dhe politik, që flasin për rënie të kapitalizmit dhe rrënim të demokracisë, që i shohin idetë komuniste si më të mirat për shoqërinë, edhe shumë parti politike në Europë dhe vende të tjera po i brendësojnë këto terma. Kështu, Partia Laburiste, e drejtuar nga Jeremy Corbyn është zhvendosur më majtas se sa ajo më parë; ish komunistët e Die Linke në Gjermani janë rritur; në Itali lëvizja “Pesë Yjet”, që ka një frymëzim pak a shumë marksist, është partia e parë; në SHBA kandidati demokrat Bernie Sanders është zhvendosur shumë më majtas se sa ka qenë dekadat e fundit Partia Demokrate; në Francë ka fuqizim të ngjyrave marksiste të Jean Luc Melenchon dhe të tjerëve në spektrin e të majtës, etj., etj.

    Sigurisht, edhe në Shqipëri ka njerëz që janë pranë këtyre qëndrimeve, por më shqetësues duket se është një lloj rikthimi tjetër i komunizmit. Shqipëria, e cila ka vuajtur nga një diktaturë e tmerrshme komuniste, nga një regjim që ushtroi genocid mbi kundërshtarët, që hapi kampe përqendrimi, që terrorizoi me anë të Sigurimit të Shtetit për dekada popullin, nuk mund të joshet nga idetë komuniste, nuk mund të shohë tek ato asnjë zgjidhje, nuk mund të ketë asgjë që vendi ynë nuk di mbi komunizmin.

    Megjithatë, duket se vendi dhe populli ka rënë në kllapi dhe nuk arrin të kuptojë se, qetësisht, në vend po ndodh një formë tjetër e rikthimit të komunizmit, ndryshe nga sa ai po shfaqet në vende të tjera. Në Shqipëri po normalizohet rikthimi në detyra të larta i njerëzve të regjimit komunist, madje i njerëzve që vinin nga strukturat më kriminale të tij, nga Sigurimi i Shtetit, nga Hetuesia dhe nga Ministria e Brendshme.

    Presidenti Reagan u shpreh në vitin 1961 (nuk ishte zgjedhur ende president) se “liria është vetëm një brez larg zhdukjes. Ne nuk ua përcjellim atë fëmijëve tanë përmes venave të gjakut. Për të duhet të luftohet, ajo duhet mbrojtur dhe përcjellë brezit tjetër, në mënyrë që edhe ai të bëjë të njëjtën gjë”.

    Shqipëria, sigurisht, që nuk zhvilloi kurrë një proces të qartë dekomunistizimi, nuk u penguan të ushtronin detyra të larta shtetërore njerëz të lidhur me krimet e komunizmit, njerëz që vinin nga ish Sigurimi i Shtetit. Megjithatë, në vitet 1992-1997, u bë një ligj dhe kishte një atmosferë të fortë kundër kësaj kategorie njerëzish. Ishte e pamundur që të shihej si normale që një hetues i regjimit komunist të mbante detyrë të lartë shtetërore. Edhe kur kishte raste të tilla, dihet që askush nuk e shihte si normale apo që kjo të kthehej në normë. Pas vitit 1997 pati një rehabilitim të plotë, pati rikthim të këtyre njerëzve kudo në institucione, por kurrë kjo gjë nuk u pranua si normale në shoqëri, madje kishte një komision që drejtohej nga Nafiz Bezhani i cili verifikonte figurat.

    Partia Socialiste, e drejtuar nga Fatos Nano, dallohej për një dominim nga njerëz të majtë, zyrtarë, intelektualë apo funksionarë periferikë të Partisë së Punës, por nuk dukej se kishte ndonjë dominim të madh të familjeve të larta të regjimit komunist apo të njerëzve që vinin nga ish Sigurimi i Shtetit.

    Ardhja e PD-së në pushtet në 2005 nuk mundi ta ndryshojë gjendjen, megjithë përpjekjet dhe një ligji lustracioni të miratuar nga qeveria Berisha i cili u rrëzua nga Gjykata Kushteteuse. Gjërat ishin konsoliduar, kishte mjaftueshëm njerëz të Partisë Socialiste, disa prej tyre njerëz të lidhur me regjimin komunist dhe me ish Sigurimin e Shtetit të cilët nuk lejonin më një ligj lustracioni.

    Për herë të parë në jetën publike në Shqipëri, pas vitit 1997, nisën të shfaqen hapur portrete të Enver Hoxhës në varrezat e Dëshmorëve të Kombit, apo në vende të tjera pas vitit 2013. Qeveria Rama apo Partia Socialiste-Rama ndryshonte thuajse në mënyrë paradigmatike me atë të qeverisë dhe Partisë Socialiste-Nano dikur.

    Në qoftë se partia e drejtuar nga Nano dominohej nga njerëz që vinin nga bota intelektuale ose njerëz që vinin nga periferia e Partisë së Punës, si profesorët Meidani, Hajdaraga, Lakrori, Islami, Meksi, apo intelektualët që kishin qenë në periferi të Partisë së Punës si Dokle, Bufi, Angjeli etj., (përjashtim bënte vetëm Ruçi i cili ishte thjesht një aparatçik, ndoshta dorëzani i Partisë së Punës), Partia e drejtuar nga Rama u largua ngadalë nga kjo kategori dhe shkoi drejt njerëzve të lidhur ose që vinin nga familje më në zemër të regjimit komunist. Paralelisht, edhe njerëzit që vinin nga strukturat kriminale të hetimit dhe Sigurimit të Shtetit u afruan pak më shumë.

    Në terma ideologjikë Partia Socialiste e drejtuar nga Rama largohej nga socialdemokracia, bëhej më pak e majtë dhe shkonte drejt social-liberizmit, ndërsa në njerëz ajo bëhej shumë më enveriste. Duket si paradoks, por ndoshta ky largim nga e majta socialdemokrate (të paktën në gjuhë sepse në thelb kurrë nuk ka ndryshuar asgjë) ishte një mënyrë më e mirë për të shkuar drejt grupimit në kupolën e partisë të njerëzve që ishin shumë më afër me nomenklaturën dhe me strukturat kriminale të regjimit.

    Kështu që gjatë tetë viteve në opozitë PS e Ramës e konsolidoi këtë qasje të re duke u zbrazur gati plotësisht nga ish-profesorët që e drejtonin dikur PS-në dhe duke shkuar te njerëz të familjeve të lidhura drejtpërdrejt me regjimin komunist.

    Vit pas viti, pas 2013-ës, portretet e Enver Hoxhës shfaqen gjithnjë e më shumë në ceremoni zyrtare. Kjo u bë aq problem sa, në një rast, ambasadori amerikan ndërhyri dhe tha se është fatkeqësi që në Shqipëri tunden këto portrete. Qeveria veproi dhe ato ditë nuk pati portrete, por muaj më pas u rikthye e njëjta gjë.

    Kjo do të ishte më e pakta. Por jo, qeveria Rama filloi një proces gjoja të kujtimit të viktimave të komunizmit duke ndërtuar ambiente ku estetizohej diktatura dhe krimet e saj. Një nga mënyrat më të mira për ta normalizuar një krim është estetizimi i krimit, thotë Alan Charls Korsi universiteteit te Pennsylvania-s . Njerëzit do ta shohin të shkuarën si vepër arti, si objekt estetik, si vëzhgim i lirë kureshtar dhe nuk do të hyjnë kurrë në thelbin e asaj që ajo ka qenë. Estetizimi bën neutralizimin moral të krimit dhe të qëndrimit të shoqërisë ndaj autorëve të krimeve. Në të vërtetë kjo gjë ndodh. Njerëzit, nxënësit, pensionistët dhe kushdo shkon në këto ambiente nuk del prej tyre me ndjenjën e neverisë për krimet, nuk del prej tyre me ndjenjën e vetëdijes së thellë se shpirtra njerëzorë janë masakruar dhe se këto krime kanë autorë, të cilët i detyrohen një falje kombit dhe i detyrohen largim nga drejtimi i vendit. Kështu u bënë disa bunkerë, u bë “Shtëpia me gjethe”, të cilët janë saktësisht “estetizim i krimit”.

    Si në rastin e “paradoksit” të zhvendosjes nga socialdemokracia dhe afrimit në drejtimin e partisë të njerëzve të familjeve të nomenklaturës dhe të strukturave kriminale të regjimit, edhe ketu kemi shfaqjen e një “paradoksi” tjetër. Ndërtohen ambiente, bunkerë që kujtojnë viktimat (gjë që Nano nuk e bëri) për të treguar se kemi të bëjmë me një parti antikomuniste dhe ndërkohë partinë e drejtojnë, jo më njerëz që nuk vinin nga nomenklatura dhe lidhjet me strukturat kriminale. Kjo taktikë u ndoq edhe me ngritjen e Autoritetit për Hapjen e Dosjeve. Ky autoritet nuk ka qëllim që t’u tregojë shqiptarëve njerëzit që vijnë nga ish Sigurimi i Shtetit që që janë deputetë, ministra, zëvendësministra, drejtorë në Polici, drejtorë në SHISH, gjyqtarë dhe prokurorë etj., përkundrazi ky Autoritet ka për qëllim të krijojë “paradoksin”, pra të tregojë se Partia Socialiste është më antikomuniste se sa ajo e Nanos dhe, ndërkohë, njerëzit e nomenklaturës drejtojnë dhe njerëz të ish Sigurimit të Shtetit janë kudo në institucione.

    Dy ditë më parë, deputeti Enkeljed Alibeaj denoncoi me emra marrjen në drejtim të të gjitha zyrave të SHISH nga njerëz të ish Sigurimit të Shtetit. Një gjë të tillë e ka bërë edhe deputeti Gent Strazimiri. Po ashtu, një anëtar i KLP-së, i organit që do të emërojë prokurorët dhe prokurorin e Përgjithshëm është ish sigurims sipas asaj që po del në shtyp.

    Përballë fakteve shoqëria duket e heshtur, media dhe opinionistët duken pa fjalë. PS dhe Rama ia kanë dalë ta bëjnë normale atë që dikur mund të ndodhte, ka ndodhur por nuk ka qenë kurrë e pranuar si normale. Duke u normalizuar kthimi apo rikthimi i njerëzve të lidhur me këto struktura kriminale okulte vendi bie, pa kuptuar, në një skllavëri të plotë ekonomike dhe politike.

    Eduard Herman thotë se shumica e regjimeve totalitare nuk bëjnë dot pa normalizimin e asaj që quhet e pamendueshme ose që dikur ishte e pamendueshme. Kjo bëhet duke e ndarë procesin në pjesë, duke e shkëputur secilën pjesë nga gjykimi moral. Siç ndodh për shembull me mbytjen e hebrejve në dhomat e gazit apo me masakrat në kampet e komunizmit. Njëri i dërgon në tren, një tjetër drejton trenin, një tjetër i prêt, një tjetër i çon në korridor, një tjetër i fut në një dhomë, një tjetër shtyp butonin e gazit, një tjetër tërheq trupin etj., etj., dhe kështu procesi normalizohet dhe askush nuk e sheh këtë si një llahtari dhe krim të urryer. Edhe me rikthimin masiv të ish -sigurimsave dhe të njerëzve të kupolës së Partisë së Punës kjo gjë ka ndodhur.

    Milan Kundera thotë se lufta ndaj pushtetit është një luftë e kujtesës mbi harresën. Në qoftë se nuk ka luftë të kujtesës me harresën, në qoftë se nuk ka luftë për të mbajtur mend përkundër harrimit, atëherë nuk ka luftë kundër asnjë pushteti. Atëherë jemi thjesht skllevër. Nuk është fare habi që një ditë Edi Rama apo Erion Veliaj të thërrasin njerëzit të prishin xhamitë dhe kishat apo të demaskojnë armiqtë e partisë dhe të popullit. Qëndrimet antifetare të Ramës janë të njohura dhe thirrjet për të demaskuar opozitën si pengesë në “ndërtimin e vendit” gati janë normalizuar. Nuk është çudi që një ditë Rama dhe Veliaj të dalin dhe të thonë se prona duhet të jetë e gjitha shtetërore, apo se Partia Socialiste ka “rolin udhëheqës” e vetme. Kur u miratua dekreti i presidentit Meta për ministrin e Jashtëm, kryeministri Rama tha tekstualisht “sa të jetë PS nuk do të vijë kurrë në pushtet PD”.

    Ajo që ka thënë presidenti Reagan, se liria është vetëm një brez larg zhdukjes, përshkruan plotësisht gjendjen në vendin tonë. www.politiko.al
    Fitim Zekthi
    “PARADOKSI RAMA” dhe PARTIA (e ndryshuar) SOCIALISTE

    BesaTime.com
    DRITËHIJET E NJË EKZEKUTIMI TË SPONSORIZUAR SHQIPTARO-GREK
    ---

    DRITËHIJET E NJË EKZEKUTIMI TË SPONSORIZUAR SHQIPTARO-GREK

    DRITËHIJET E NJË EKZEKUTIMI TË SPONSORIZUAR SHQIPTARO-GREK! Aktiviteti terrorist eshte i patolerueshem dhe siguria e Shqiperise eshte vije e kuqe. Por duhet te bindeni edhe per nje gje shume te rendesishme. Vdekja e djaloshit...

    MEJREME UKA, PROFESORESHË E ETIKËS KANDIDATE PËR DEPUTETE QË TË NDRYSHOJË ETIKEN E POLITIKËS SË KOSOVËS
    ---

    MEJREME UKA, PROFESORESHË E ETIKËS KANDIDATE PËR DEPUTETE QË TË NDRYSHOJË ETIKEN E POLITIKËS SË KOSOVËS

    MEJREME UKA, PROFESORESHË E ETIKËS KANDIDATE PËR DEPUTETE QË TË NDRYSHOJË ETIKEN E POLITIKËS SË KOSOVËS Shkëlzen Rrecaj pas intervistës me znj. Uka, TeSheshi.com shkruan; Merjeme Uka është një ndër kandidatet për deputete në...

    SHQIPTARË, NGA PREVEZA NË MOLLË TË KUQE KEMI VEÇ NJË ATDHE

    "NE TË GJITHË SHQIPTARËT, PA DALLIME POLITIKE, KRAHINORE, FETARE E PREJARDHJEJE NGA PREVEZA NË MOLLË TË KUQE KEMI VEÇ NJË ATDHE" Nga Sokol BRAHAJ 10/05/2017 Ne të gjithë shqiptarët, pa dallime politike, krahinore, fetare e...

    REFERENDUMi: SiSTEMi PRESIDENCiAL i ERDOGAN’iT A DO TA DEMOKRATiZOJË TURQiNË? ANALiZË Nga Sokol BRAHAJ 15/04/2017

    REFERENDUMi: SiSTEMi PRESIDENCiAL i ERDOGAN’iT A DO TA DEMOKRATiZOJË TURQiNË? Sokol BRAHAJ 15/04/2017 1-HYRJE: KUSHTETUTAT E TURQiSË 2-REFERENDUMi i 16 PRiLLi’T: ÇFARË DO TË NDRYSHOHET ME KËTO 18 NENE? 3-ATMOSFERA ELEKTORALE DHE...

    SHQIPTARËT N’MAQEDONI SOT U BËNË DE'FACTO E DE’JURE FAKTOR

    SHQIPTARËT N’MAQEDONI SOT U BËNË DE'FACTO E DE’JURE FAKTOR Të jem korrekt Tirana e ka dëgjuar me vëmendje mendimin tim, ndërsa Prishtina jo aq për shkak të interesave që kanë individë të cilët bëjnë kalkulime. Edhe kjo s’ka...

    Yorum ekle
    Lütfen düşüncelerinizi özgünce ifade etmeye çalışın

    Kodu girin:
    Güvenlik Kodu (CAPTCHA)
    Kodu Güncelle



Sitemizi değerlendirin

BESATIME►QË NGA 2002’SHI©◄

Të gjitha tekstet, imazhet dhe përmbajtjet në botimin e kësaj faqe interneti i përkasin BesaTime©. Ndalohet kopjimi ose riprodhimi i paautorizuar i kësaj faqeje.
Kontakt: www.BesaTime.com | besatimenews@gmail.com |
RRETH NESH►
► BesaTime është portal interneti i Shtypit të Lirë, i Mendimit Ndryshe dhe Respektues i Etikës dhe Prencipeve të Shtypit. Ka për qëllim tju përcjellë të Interesuarve drejtë për së drejti; Lajmin, Informacionin, Analizen, Studimin, Kërkimin, Raportin e vërtetë dhe të pa-anshëm, në fushen; Strategjike, Politike, Ekonomike, Sociale, Diplomatike, Kulturore, Artistike, Sportive si dhe në çdo temë tjetër që i përket njeriut.
► BesaTime operon në fushën e informacionit dhe të shtypit në gjuhen Shqip, Turqisht dhe Anglisht, është e pavarur, nuk ka lidhje me asnjë organizatë, parti apo lëvizje politike, financohet vetëm nga themeluesit e vet. Është vazhdimësi e Think Tank Besa Strategy. Në përgjithësi vepron në të gjithë Botën, Bashkimin Evropian dhe Ballkanin. Në veçanti tregon intensivitet për çështje që kanë të bëjnë me Shqiptarët në Rajon dhe Turqinë. BesaTime në të njëjten kohë është portal ku Diaspora dhe Lobi Shqiptar në Turqi publikon.
►BesaTime është rrjet shqiptar i lajmeve, analizave dhe i mendimit strategjik, me seli në Izmir, Turqi. Rrjeti filloi pune më 28 nentor 2002 dhe mbulon lajmet botërore nga një këndvështrim objektiv. Çdo artikull i publikuar në portal mund të mos përputhet me idetë tona dhe për këtë arsye përgjegjësia i takon vetëm autorit.
► Kryeredaktori: Dr. Sokol Brahaj

Dizajn: CAN ARNAVUT - Kontakt: canarnavut@yandex.com